Kryetari i FBK-së: Për sportin tonë ky vendim është i dhimbshëm

Federata e Basketbollit e Kosovës, sot ka njoftuar se e ka anuluar sezonin 2019/2020, në Superligën e Kosovës në basketboll, në kategorinë e meshkujve dhe vajzave.

Pezullimi i basketbollit kosovar është bërë për shkak të situatës së kriuar nga coronavirusi.

Pas anulimit të sezonit 2019/2020, në kategorinë e meshkujve dhe vajzave, FBK ka vendosur që mos të shpallë kampionët.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka shkruar se vendimi ëpr anulimin e sezonit në basketboll është i dhimbshëm.

“Sot u detyrova që t’ia paraqes Bordit të FBK-së vendimin më të dhimbshëm të këtij mandati – atë të anulimit të garave të Superligave të Kosovës. Në kohë si kjo, kur vendi jonë po përballet me një armik të padukshëm dhe të pabesë, komuniteti i basketbollit dhe më gjerë duhet të tregojë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet. Prandaj, pas konsultimeve me të gjitha palët e interesit, dhe pas konstatimit se shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni dhe në këtë frymë, Bordi i FBK-së ka vendosur sot njëzëri që të anulojë garat e edicionit 2019/20 në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave në basketboll”, ka thënë Fetahu për faqen zyrtare të FBK-së.

“Për sportin tonë ky vendim është posaçërisht i dhimbshëm, duke qenë se u detyruam ta marrim atë në kulm të një edicioni garues me konkurrencë të fortë, me lojë të paparakishueshme në kuptim të rezultatit dhe në të cilin shikuesit e patën fjalën kryesore, gjë që dëshmohet me mbi 15.000 bileta të shitura gjatë javës së Final 8 të Kupës së Kosovës në Rahovec, me sallat e rimbushura plot anekënd Kosovës dhe me përcjelljen e interesin e shtuar mediatik ndaj sportit tonë të zemrës. Ky rezultat i arritur falë angazhimit të federatës dhe burimeve njerëzore të saj dhe rolit të paçmueshëm të partnerit mediatik të federatës – ArtMotion, i cili me përkushtim të pashoq ka përcjellë veprimtarinë tonë dhe ka përçuar emocionet e terreneve të basketbollit në shtëpitë tuaja, duke kontribuar kësisoj në kthimin e shikueshmërisë në basketbollin e Kosovës”, ka shtuar ai.