Kroatët nuk do të ulen në njërin gju para ndeshjes me Anglinë

Futbollistët e Kroacisë nuk do të ulën në njërin gju para fillimisht të ndeshjes ndaj Anglisë, që luhet të dielën në kuadër të Kampionatit Europian “Euro 2020”.

Kroacia, nënkampione e Botës nuk e ka ndërmend të veprojë sikurse Anglia, që e ka konfirmuar se para çdo ndeshje në “Euro 2020” do ta bëjnë këtë gjest për ta promovuar barazinë racore.

Zëdhënësi i Kombëtares së Kroacisë, Tomislav Pacak, ka thënë kroatët nuk do të ulën në njërin gju përpara ndeshjes ndaj Anglisë, që luhet në kuadër të Grupit D, për “Euro 2020”.

Pacak ka insistuar se në protokollet e UEFA-s askund nuk përmendet se lojtarët duhet të ulen në njërin gju para ndeshjeve dhe se organi  qeverisës i futbollit europian është kundër futjes së politikës në sport.

“Lojtarët tanë nuk do të ulen në njërin gju para ndeshjes me Anglinë. Ne jemi të vendosur për këtë”, tha shkurt Pacak.

Dy kundërshtarët tjerë të Anglisë, Skocia dhe Çekia ende nuk kanë marrë vendim në lidhje më këtë çështje.

Trajneri i Skocisë, Steve Clarke ka thënë se vendimin do ta marrë pak minuta para ndeshjes.

“Kjo është një bisedë të cilën do ta bëj me lojtarët pak para ndeshjes së parë që do ta luajmë në Evropian. Kështu që, së bashku do të vendosim nëse do të ulemi në njërin gju apo jo. Pra, a do të ulemi vetëm para ndeshjes me Anglinë apo para të gjitha dueleve tjera që do t’i luajmë”, ka thënë Steve Clarke, përzgjedhësi i Skocisë.

Futbollistët e Anglisë, uljen në njërin gju e kanë bërë në miqësore dhe do ta bëjnë gjatë ndeshjeve të Europianit.

“Gjëja më e rëndësishme është se në të gjithë jemi të bashkuar në lidhje me këtë çështje dhe do ta përkrahim njëri-tjetrin. Ne ndihemi më shumë se kurrë të vendosur për t’u ulur në njërin gju para ndeshjeve të Evropianit. Ne e pranojmë që mund të ketë reagime negative, por thjesht do t’i injorojmë ato”, ka insistuar përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate.

Ulja në njërin gju ka të bëjë me protestat “Black Lives Matter” në gjithë botën, që u bënë pas vrasjes së George Floydit nga një oficer i policisë në muajin maj të vitit të skaluar. Megjithatë, te Kombëtarja  e Anglisë kanë insistuar se ulja në njërin gju para ndeshjeve të “Euro 2020” ka të bëjë më shumë me promovimin e barazisë sesa me ndonjë lëvizje politike.