Krasniqi pasi e fitoi medaljen e artë në Tokio 2020: Është një ëndërr e realizuar për mua

Xhudistja Distria Krasniqi ia solli Kosovës medaljen e dytë të artë histori të saj, pasi e mposhti në finale japonezen Funa Tonaki.

25 vjeçarja ka thënë se është normale pêr atë sportist që shkon në finale për ta kërkuar medaljen e artë.

“Faleminderit të gjithë njerëzve që më kanë përkrahur në këto kohë. Natyrisht, kush shkoni në finale ju gjithmonë dëshironi medaljen e artë”, tha medalistja e artë.

Krasniqi e ka vlerësuar si përballje të vështirë duelin ndaj japonezes Tonaki.

“Ishte vështirë përballja me Tonakin sepse fillimisht jemi në Japoni dhe ajo është në vendin e saj, por ajo është një xhudiste tepër e fortë”, tha Krasniqi.

Medalistja e artë ka thënë se synimi i saj është qe t’i sjellë Kosovës ende medalje.

“Është një ëndërr e realizuar, shpresoj që do të mundem ta përsëris titullin edhe në të ardhmen por do të vazhdoj edhe më tej me paraqitje të mira”, deklaroi Distria Krasniqi.

Kujtojmë, se Majlinda Kelmendi në vitin 2016 ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike.