Kosova U21 fillon përgatitjet për ndeshjen me Anglinë

Kombëtarja e Kosovës U21 sot ka filluar përgatitjet për ndeshjen ndaj Anglisë U21, e cila do të luhet më 4 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Në stërvitjen e parë, trajneri Rafet Prekazi dhe ndihmësi i tij, Erdogan Cilina i kishin në dispozicion vetëm 13 futbollistë, kurse pjesa tjetër e tyre priten t’i bashkohen ekipit në stërvitjen e nesërme.

Të pranishëm në stërvitjen e kryer në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ishin: Florian Smakiqi, Agron Kolaj, Leart Sadriu, Kreshnik Hajrizi, Kastriot Selmani, Arb Manaj, Valmir Veliu, Hajdin Salihu, Patriot Sejdiu, Ismet Lushaku, Leonat Vitija, Ermal Krasniqi dhe Blendi Baftiu.

Ndërkohë, përzgjedhësi Prekazi ka ftuar edhe një futbollist për këtë grumbullim dhe ai është Altin Kryeziu i skuadrës italiane SPAL. Kombëtarja U21 do të mbajë stërvitjen e radhës nesër në të njëjtin stadium në orën 17:30.