Kosova U20 mposht Maqedoninë e Veriut

Kombëtarja e Kosovës U20 në kategorinë e vajzave ka shënuar fitore me rezultat 63-62 ndaj Maqedonisë së Veriut në kuadër të FIBA Women’s European Challengers, takim që u zhvillua në Shkup.

Vashat e Kosovës shënuan fitore në ndeshjen e fundit, duke e përfunduar këtë garë me një fitore dhe tri humbje duke u radhitur në vendin e katërt nga pesë shtete sa morën pjesë.

Perioda e parë ishte paksa e baraspeshuar që përfundon 13:15, por në atë të dytë vashat dardane u treguan shumë më të mira, ku e fituan këtë pjesë 16:10, dhe shkuan në pushim me shifrat 29:25.

10 minutëshin e tretë u zhvillua lojë me kthesa, ku tre minuta nga fundi, Kosova kishte epërsi 46:38, por në minutat e mbetur, vendaset ngushtuan epërsinë në 46:45, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 50:46.

10 minutat e fundit ishin shumë dramatik dhe me emocione. Maqedonia po fitonte 59:62, dy minuta nga fundi, por vashat e Kosovës luftuan për fitoren e parë dhe e arritën qëllimin. Dea Pushkolli dhe Tringa Ukaj shënuan nga dy pikë, ndërsa duhet veçuar edhe lojën e Arba Hashanit, e cila me trepikësha nuk lejoi shkëputjen e vashave maqedonase. Në fund Kosova triumfoi 63:62.

Te Kosova u dalluan Arba Hashani me 13 pikë, 7 kërcime, 6 asistime, Agnesa Rrahmani me 18 pikë e 5 kërcime, Tringa Ukaj me 10 pikë e 5 kërcime dhe Sara Vraniqi me 8 pikë dhe Dea Pushkolli me 7.