Kosova U15 fiton me lehtësi ndaj Estonisë

Kombëtarja e Kosovës U15 ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Kamëz, nën organizimin e FSHF-së.

Pas fitores në ndeshjen e parë kundër Taxhikistanit me rezultat 8-0, “Dardanët“, sot, kanë shënuar fitore edhe në duel me Estoninë, me rezultat 3:0.

Fillimisht shifrat i zhbllokoi Igball Jashari, derisa më pas dy dola i realizoi Elton Krasniqi, për ta vulosur fitoren e dytë të „Dardanëve“.

Pas xhiros së dytë në “UEFA Development Tournament”, Kosova kryeson renditjen me 6 pikë, Shqipëria ka 4 pikë, Estonia 2 pikë dhe Taxhikistani 0 pikë.

Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij turneu Kosova do ta luajë të hënën kundër Shqipërisë, që njëherësh do të jetë edhe ndeshje përcaktuese për skuadrën e cila do ta mbyllë këtë turne si fituese.