Foto: KALLXO.com

Kosova me probleme të mëdha për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Greqisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll më 3 shtator do ta nisë rrugëtimin në Ligën C, grupi 3, në Ligën e Kombeve.

Dardanët do të përballen më 3 shtator si mysafir me Moldavinë. Ndeshja do të zhvillohet në Itali, në stadiumin e Parmës.

Ndeshja fillimisht është dashur të luhej në Moldavi, por për shkak të problemeve politike mes Moldavisë dhe Kosovës, ndeshja do të luhet në një stadium neutral.

Më 5 shtator, Bernard Challandes, me futbollistët e tij, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, do ta presë Greqinë.

Trajneri i Kosovës publikoi listën e futbollistëve më 25 gusht. Në këtë listë u vërejt mungesa e sulmuesit kryesor, Vedat Muriqit.

Menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, e ka konfirmuar për KALLXO.com se Muriqi do të mungojë për shkak të një lëndimi në këmbë. Lëndimi i Muriqit do t’i sjellë shumë probleme Challandes se kë ta vendosë në qendër të sulmit për këto dy ndeshje.

Bernard Challandes në listën e parë ka ftuar 22 futbollistë, kurse tre futbollistë për ndeshjen e dytë janë parparë të vinë nga Kosova U21. Ndërkaq tre futbollistë të tjerë janë lënë si rezervistë si Anel Rashkaj, Mirlind Kryeziu dhe Florian Lloshaj.

Shkaku i pandemisë së coronavirusit, Challandes dhe Federatës së Futbollit të Kosovës i kanë dalë shumë probleme, pasi klubet evropiane nuk po i lejojnë futbollistët e tyre që t’i bashkohen Kosovës.

Problemet për ta komponuar ndeshjen ndaj Greqisë i konfirmoi Bernard Challandes gjatë ditës së sotme në konferencë për media.

“Nuk është e lehtë për të pasur një ekip të komponuar, duke marrë parasyh që kemi situatata të ndryshme, me lojtar krejtësisht të ndryshëm. Ne kemi lojtar që nuk kanë asnjë klub. Kemi lojtarë që nuk kanë minuta, kjo do të thotë që nuk është e lehtë. Do të flas me çdo lojtar, ne nuk mund të marrim riskin me lojtarët që janë të lënduar, apo lojtarë që kanë filluar të stërviten para një jave”, tha Challandes.

Ai tha se Greqia e ka një ekip të fortë dhe për këtë duhet të përgatisë lojtarët që i ka në dispozicion.

“Do të luajmë ndaj Greqisë në Prishtinë, në një farë forme duhet t’i mësojmë lojtarët, por e dimë që Greqia i ka lojtarët e fortë. Na pret një periudhë e vështirë, kur e kisha menduar grumbullimin e shtatorit e kisha menduar si grumbullim të mirë, por tani kanë ndryshuar gjërat”, tha trajneri I kombëtares së Kosovës.

“Më duhet ta them Liga e Kombeve para zhvillimit të Kampionatit Europian dhe atij botëror, ne duhet të rritemi, të bëjmë përvojë. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme për ndeshjen e tetorit. Ne e kemi bërë një progres pasi jemi në Ligën C, do të përballemi me kundershtarë të vështirë dhe do të kërkojë maksimumin nga lojtarët tanë. Fokusi primar do të jetë që të përgatitemi për play –off”, tha Challandes.

Shteti i Kosovës është futur në listën e zezë si rezultat i keqmenaxhimit të pandemisë së COVID-19.

Shtetasit që futen në Kosovë e kthehen përsëri në vende si Gjermania dhe Zvicra, duhet të karantinohen për 14 ditë, gjë e cila po i sjellë shumë probleme kombëtares së Kosovës në futboll për grumbullimin e lojtarëve.

Së fundmi, Werder Bremen e konfirmoi përmes një njoftimi zyrtar se Milot Rashica, do të lejohet që të luajë për Kosovën vetëm për ndeshjen ndaj Moldavisë, që luhet në Itali më 3 shtator, kurse më 5 shtator do të mungojë për shkak se Kosova cilësohet si vend me rrezik të lartë infektimi dhe pastaj duhet të futet në karantinim dyjavor.

Jo vetëm Rashica, por edhe tetë lojtarë tjerë rrezikojnë që mos të jenë pjesë e Kosovës për ndeshjen ndaj Greqisë.

Këta lojtarë nuk priten të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Greqisë, disa prej tyre edhe ndaj Moldavisë: Milot Rashica, Idriz Voca, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Arbenit Xhemajli, Florent Muslija. Elbasan Rashani, Herolind Shala, Lirim Kastrati.

Lirim Kastrati ka mundësi të mos jetë prezent pasi ka pësuar një lëndim të vogël në stërvitje me klubin e tij Dinamo Zagreb.

Gjatë ditës së sotme Kosova konfirmoi se ka ftuar Anel Rashkajn nga lista rezervë për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Greqisë.

Analisti dhe trajneri i futbollit, Genc Sermaxhaj, thotë për KALLXO.com se trajneri i kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes duhet të ndryshojë qasjen e lojës, për t’iu përshtatur karakteristikave të lojtarëve. Ai thotë se qasja në fazën e sulmit nuk duhet të ndryshohet, pasi në atë fazë kanë shkëlqyer në ndeshjet e fundit.

“Nëse Kosova penalizohet me lojtarë, sidomos në ndeshjen e dytë ndaj Greqisë, Challandes duhet të ndryshojë në qasjen e lojës adekuate të cilësive të lojtarëve që do t’i ketë në atë ndeshje. Ka mundësi që edhe sistemi i lojës në vendosje të ndryshojë, por assesi në mënyrën e detyrave sulmuese, ngase arma e jonë më e fortë është sulmi dhe për këtë djemtë janë të dëshmuar në ndeshjet e kaluara”, ka thënë Sermaxhaj.

Sermaxhaj thotë se lojtarët e rinj që vijnë në kombëtare duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi duke e dhënë më të mirën nga vetja e tyre.

“Çdokush që e ka mundësinë të jetë pjesë e listës dhe të luajë në ndeshje, përveç që duhet ta shfrytëzojë rastin e tij për të zënë vend në ekipin tonë, ai duhet që të bëjë maksimumin për Kosovën që të marrë rezultat të dëshirueshëm. Gjithashtu këto dy ndeshje do të jenë një provë e mirë dhe tejet serioze për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut”, ka thënë për KALLXO.com Genc Sermaxhaj.

Greqia pozicionohet në vendin e 54 në ranglistën e FIFA-s me 1413 pikë.

Kosova pozicionohet në vendin e 115 me 1174 pikë.

Kombëtarja e Moldavisë pozicionohet në vendin e 175 me 959 pikë dhe shihet si kundërshtar i lehtë për Kosovën.

Në 11 ndeshjet e fundit Moldavia i ka 10 humbje dhe 1 fitore. Fitoren e vetme e ka ndaj Andorrës me rezultat 1-0. Moldavinë e ka mposhtur dy herë Shqipëria në vitin 2019, një herë me rezultat 1-0 si vendas, ndërsa si mysafir me rezultat 4-0.

Kundërshtari i 5 shtatorit, Greqia, ka formë më të mirë se Moldavia.

Grekët në tri ndeshjet e fundit i kanë tri fitore radhazi, duke i mposhtur kombëtare si Finlanda, Armenia dhe Bosnja dhe Hercegovina, kurse kanë humbur nga Italia dhe kanë barazuar me Litenshtajnin.

Kosova e drejtuar nga Bernard Challandes në tri ndeshjet e fundit i ka tri humbje, kurse në tetë ndeshjet e fundit në total i ka katër fitore dhe katër humbje.

Nga ranglista dhe nga forma e kombëtarave, Bernard Challandes me djelmoshat e tij pritet të ketë punë të lehtë ndaj Moldavisë. Por, më 5 shtator ‘Dardanët’ edhe pse nuk janë të kompletuar duhet që të bëjnë paraqitje të fortë në mënyrë që t’i ndalin pikët në stadiumin “Fadil Vokrri”.