Kosova kërkon fitore ndaj Estonisë

Trajnerja e Kombëtares së Kosovës, Afërdita Fazlija dhe lojtaret Edona Kryeziu dhe Erlehta Mehmeti, kanë folur në konferencë për media, para ndeshjes ndaj Estonisë, që luhet të premten nga ora 19:00m në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Trajnerja e vashave të Kosovës, Afërdita Fazlija thotë se skuadra që ajo e udhëheqë është brenda objektivave të tyre, që ka qenë vendi i tretë ose i katërt.

“Është hera e parë që marrim pjesë në këto kualifikime, secila kombëtare e dëshiron kualifikimin, ne duhet të jemi më real. Për neve është edhe ka qenë objektiv të jemi në vendin e tretë ose katërt. Unë mendoj në bazë të grupit në bazë të rrethanave ende jemi në objektiv për shkak se kemi edhe pesë ndeshje. Mesi i tabelës për ne në grup ka qenë objektivi ynë”, ka thënë Afërdita Fazlija.

Fazlija e ka pranuar se ndeshja ndaj Estonisë është më e vështira për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

“Realisht, ne kemi qenë të hendikepuara fillimisht për përgatitjen për këtë ndeshje, pandemia e ka bo të vetën. Dikun 70% e ekipës në ndeshjet e fundit ka qenë vajzat që vijnë nga diaspora. Kurse për këtë ndeshje kemi lojtare të reja. Ka qenë shumë e vështirë, megjithatë ne duhet ta pranojmë që jemi në një situatë të jashtëzakonshme për këtë ndeshje. Është ndeshja ma ë vështira prej se ja kemi filluar kualifikimet me kombëtaren”, potencon ajo.

Kurse kapitenia e “Dardaneve”, Edona Kryeziu thotë se do të kërkojnë vetëm fitore në ndeshjen e nesërme.

“E kemi parasysh që edhe në lojën në Estoni nuk e kemi pasur lehtë me fitu, kësaj here është çështje diçka tjetër shkaku i pandemisë. Gjithmonë ne do të provojmë me fitu, asnjëherë nuk do të hymë në lojë për ndonjë rezultat tjetër përveç fitores,  pa marrë parasysh situatës”, thotë me optimizëm Edona Kryeziu.

Kjo ndeshje luhet në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Kosova pas katër ndeshjeve pozicionohet në vendin e katërt me 6 pikë, duke i shënuar dy fitore dhe tri humbje.