Kosova e gatshme për ndeshjen ndaj Rusisë (VIDEO)

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave, sonte e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Brita Arena” në Wiesbaden të Gjermanisë.

Kosovë – Rusi, do të luhet të premten prej orës 18:00, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

FFK ka njoftuar se “Dardanet” stërvitjen e fundit e kanë kryer me sukses dha janë të gatshme për ndeshjen e nesërme.

Seleksionuesja e Kosovës, Afërdita Fazlija, ka thënë se janë të gatshëm dhe janë të vetëdijshëm se do të përballen me një kundërshtar të fortë.

“Realisht ekipi është në përgjithësi i gatshëm. E kemi parasysh se e kemi përballë një kundërshtar të respektuar dhe të renditur lartë sa i përket pjesëmarrjeve në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Por, ne edhe pse jemi një prej ekipeve më të reja në këto kualifikime nuk do të jemi indiferent. Kosova do të bëjë nesër më të mirën dhe shpresojmë që të kemi një rezultat pozitiv. E mira do të ishte të luajmë në Prishtinë, por duke pasur parasysh se edhe në Gjermani janë lajmëruar se do të kemi përkrahje të madhe do të mundohemi që këtë stadium ta shndërrojmë në ‘Fadil Vokrri’ dhe të japim më të mirën”, ka thënë Fazlija për FFK-në.