Komiteti Olimpik i Kosovës prezanton listën finale të sportistëve për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Komiteti Olimpik i Kosovës, gjatë ditës së sotme ka prezantuar listën finale të sportistëve kosovarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Kosova do të marrë pjesë me 11 sportistë në “Tokio 2020”, tre më shumë se sa në Olimpiadën e vitit 2016, ku ishin tetë sportistë.

Prej 11 sportistëve kosovarë në Tokio, gjashtë prej tyre do të jenë femra, kurse pesë meshkuj nga gjashtë sporte të ndryshme, xhudo, mundje, atletikë, not, boks dhe shenjëtari sportive.

Nga xhudoja me normë olimpike do të marrin pjesë, Majlinda Kelmendi në kategorinë 52 kg, Nora Gjakova 57 kg, Distria Krasniqi 48 kg, Akil Gjakova 73 kg, dhe Loriana Kuka 78 kg.

Me normë nga sporti i mundjes, është Egzon Shala në disiplinën stil i lirë, kategoria 125 kg. Me ftesë nga komisioni trepalësh janë, boksierja Donjeta Sadiku, 57-60 kg, Drilon Ibrahimi, shenjëtari sportive, disiplina 10 metra pushkë ajrore kurse të ftuar për shkak të vendeve të rezervuara, janë Eda Zeqiri, not disiplina 400 metra stil i lirë, Olt Kondriolli, 100 metra stil i lirë dhe atleti Musa Hajdari disiplina 800 metra vrapim.

Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova, do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.

Të parët që do të udhëtojnë drejt Tokios janë ekipi i xhudos, të cilët nisen më 14 korrik dhe do të vendosen në Komunën e Sanxhos.