Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet në gusht

Kombëtarja e Kosovës A, në basketboll në konkurrencën e djemve do të grumbullohet në pjesën e dytë të muajit gusht, ka njoftuar Federata e Basketbollit e Kosovës.

Përgatitjet e Kosovës, do t’i udhëheqë trajneri grek, Christos Marmarinos, për ta parë nga afër formën e basketbollistëve.

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Granit Rugova, ka thënë për FBK-në, se grumbullimi është i nevojshëm, në mënyrë që lojtarët të jenë sa më shumë aktiv.

Rugova, ka treguar se trajneri Marmarinos është duke i përcjellë në vazhdimësi basketbollistët e Kosovës.

“Grumbullimi është shumë i nevojshëm, sidomos për lojtarët që të jenë sa më shumë aktiv, në këtë kohë kur janë pezulluar aktivitetet sportive për shkak të pandemisë Covid-19. Në këtë grumbullim do të shihet edhe forma e tyre fizike, që është shumë e rëndësishme, sepse në muajin nëntor do të jemi mysafirë të Sllovakisë dhe Islandës, në para-kualifikimet evropiane për Botërorin 2023. Marmarinos e ka përkrahur idenë e grumbullimit dhe në vazhdimësi është duke e përcjellë formën e lojtarëve të Kosovës. Grumbullimi do të jetë një javor, i ngjashëm me përgatitjet e muajit shkurt dhe nëntor, ku do të ketë stërvitje përgatitore fizike dhe taktike, si dhe do të shikohet mundësia e angazhimit të një ndeshje miqësore. Grumbullimi do të mbahet në Prishtinë. Ne kemi filluar kampanjën për Botërorin 2023 me dy fitore dhe shpresojmë se, do të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në muajin nëntor dhe në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të kemi dy ndeshjet e fundit para-kualifikuese”, ka thënë drejtori i përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova.