Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kombëtarja e Kosovës do të bëhet me trajner të ri në vitin 2022  

Kombëtarja e Kosovës A në futboll në kategorinë e djemve do ta mësojë emrin e trajnerit të ri në muajin mars.

Federata e Futbollit e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se ende është në shqyrtim të kandidatëve të cilët kanë shprehur interesimin për ta drejtuar Kosovën.

FFK-ja thotë se së shpejti do të përzgjidhen tre apo pesë kandidatët më seriozë për t’i nisur bisedimet me ta.

“FFK është ende në proces të shqyrtimit të gjithë atyre që kanë shprehur interesim për të drejtuar Kosovën. Së shpejti KE i FFK-së do të bëjë përzgjedhjen e tre apo pesë kandidatëve më seriozë për të filluar bisedimet dhe për të zgjedhur në fund trajnerin e ri”, thonë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Sipas FFK-së emri i trajnerit të ri të Kosovës varet nga aspekti ekonomik dhe i negociatave.

“Tash për tash ende nuk e kemi emrin e përzgjedhësit, pasi kjo gjë varet prej negociatave, por edhe prej mundësive tona ekonomike” thuhet në përgjigjen e FFK-së.

Emri i trajnerit të ri do të bëhet i ditur para miqësoreve të muajit mars.

“Dardanët do ta kenë përzgjedhësin në ndeshjet miqësore të marsit dhe presidenti Ademi është duke punuar në këtë drejtim”, thonë nga FFK-ja.

Kujtojmë që Kosovën në dy ndeshje ka drejtuar trajneri i përkohshëm Primozh Gliha i cili e ka zëvendësuar të shkarkuarin Bernard Challandes.

Ditë më parë Kosova ka mësuar edhe kundërshtarët për Ligën e Kombeve.

Kosova do të jetë pjesë e grupit C, bashkë me Greqinë, Estonin\Qipron, Irlandën Veriore.