KOK konfirmon pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Pekin, Presidenca me bojkot diplomatik

Lojërat Olimpike pritet që të mbahen në Pekin gjatë muajit shkurt 2022. Por në aspektin diplomatik Republika e Kosovës ka vendosur që të bojkotoj pjesëmarrjen në këtë organizim.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vendosur që të mbështet vendimin e Shteteve të Bashkuar të Amerikës për t`i bojkotuar këto lojëra në aspektin diplomatik.

Këtë e ka konfirmuar edhe për KALLXO.com, Bekim Kupina këshilltar për media nga Presidenca.

Kupina thotë së Presidentja Vjosa Osmani mbështet vendimin e SHBA-së për bojkotim diplomatik ndaj Kinës.

“Presidentja Osmani mbështet vendimin e ShBA-së për bojkotim diplomatik ndaj Kinës, sikurse edhe homologët e saj nga Austrialia, dhe Britania e Madhe”, thotë Kupina.

Sipas Kupinës arsyeja kryesore që po bëhet bojkotimi është shkelja e të drejtave njerëzore nga autoritetet kineze.

“Presidentja Osmani shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze do t’i bojkotoj Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin. Ky bojkotim diplomatik, sikurse edhe i vendeve të tjera, nënkupton se ekipet garuese marrin pjesë në Lojërat, porse Presidentja e Kosovës do t’i bojkotoj të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin”, ka thënë Kupina për KALLXO.com

Ndërsa Besim Aliti sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës thotë se Kosova do të marr pjesë në këto Lojëra.

“Ne jemi duke garuar vetëm me një sport, bëhet fjalë për skijimin alpik. Për momentin ne kemi vetëm një sportist që ka arritur të fitojë normën”, thotë Aliti.

Ai shpreson që deri në muajin janar numëri i pjesëmarrëseve të rritet.

“Ne kemi shpresë që deri në janar të kemi edhe dy sportistë të tjerë”, thotë sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Haliti po ashtu ka bërë thirrje publike që të votohet për Distria Krasniqin dhe Driton Kukën që janë të nominuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

“Unë u bëj thirrje të gjithëve që të votojnë për Distria Krasniqin dhe Dritonin Kukën”, ka thënë Aliti.

Nga Komiteti Olimpik të Kosovës thonë se kanë pranuar edhe letër nga kryeministri Kurti.

“Duke konsideruar situatën e shkaktuar në Kinë në raport me krimet, gjenocidin dhe diskriminimin kundrejt popullsisë ujgure dhe grupeve tjera etnike të rajonit veriperëndimor të Xinjiang, besojmë se këto veprime të qeverisë kineze janë në kundërshtim të thellë me filozofinë e Olimpizmit dhe vetë parimet sportive, thuhet mes tjerave ne letrën e Kurtit”.

Edhe BBC në një shkrim ka folur për bojkotimin diplomatik që po bëhet për Lojërat Olimpike të Kosovës.

Ky bojkotim diplomatik vjen në momentin kur SHBA-ja e ka akuzuar Kinën për gjenocid në shtypjen e saj ndaj pakicës kryesisht myslimane ujgure në rajonin perëndimor të Xinjiang – një akuzë që Kina e ka mohuar fuqishëm.

Vende të tjera – përfshirë Kanadanë dhe Japoninë, thuhet gjithashtu se po shqyrtojnë bojkotimin diplomatik të Lojërave. Zelanda e Re ka konfirmuar se nuk do të dërgojë zyrtarë për shkak të shqetësimeve për COVID-19.

Komiteti Olimpik Australian tha se mbështeti lëvizjen e qeverisë së tij, por ishte i prirur të garantonte sigurinë për rreth 40 atletët e tij.