Klodian Duro flet pas humbjes nga Drenica

Feronikeli pësoi humbje me rezultat 1-3, nga Drenica, në kuadër të xhiros së 21-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Nikli, pjesën e dytë e luajti me një lojtar më pak, pasi Besmir Bojku u ndëshkua me karton të kuq.

Psa ndeshjes, trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, ka thënë se skuadrën e tij e penalizoi kartoni i kuq.

Ai ka pasur dyshime për golin e dytë të Drenicës duke thënë se ishte pozitë jashtë loje.

“Kartoni i kuq na penalizoi shumë sepse pësuam një gol që vinte pa logjikë nga ndeshja që po luanim, por sigurisht që ndodhë. Arritëm të kthemi si psikologjiksht por edhe në mënyrën e lojës, arritëm që të barazonim. Në momentin që futbolli luhet edhe ecën përpara bëhet i bukur. Por, në momentet kur hyjnë faktorë të tjerë në futboll, atëherë nuk kam çka të flas. Po të shikonit golin e dytë, më duket se është në pozitë jashtë loje, nuk kam qejf të merrem me këtë por këto janë fakte , sepse këto dëmtojnë një ekip. Sigurisht që me 10 lojtarë bëhet shumë e vështirë, nuk e kuptoj se çfarë kërkojnë nga ky futboll në Kosovë. Andaj nuk kemi cfarë të flasim për taktikën dhe teknikën”, tha Duro për ‘Art Sport”.

Pas kësaj humbje Feronikeli zbret në vendin e shtatë me 24 pikë.

Në xhiron e ardhshme Nikli do të luajë me Arbërinë si mysafir.