Klodian Duro flet pas barazimit ndaj Trepçës ’89

Klodian Duro ka debutuar me Feronikelin ndaj Trepçës ’89, ndeshje e cila u zhvillua në Mitrovicë.

Trajneri shqiptar ka folur pas ndeshjes, duke thënë se është i kënaqur me atë se çka ka gjetur në futbollin kosovar. Ai ka shtuar se kanë dashur fitore në këtë ndeshje, por nuk ia arritën qëllimit.

“Jam i kënaqur gjithçka që kam gjetur në futbollin kosovar. Kërkonim maksimumin që ta fitonim këtë ndeshje që të rikthenim një atmosferë akoma më të mirë psikologjike. Jam i kënaqur nga atë se çfarë treguan futbollistët tanë në këtë ndeshje. Kur kërkon të fitosh ndeshjen normalisht që rrezikon edhe të pësosh gol, është për t’u përgëzuar edhe Trepca ‘89, pasi që nuk u shpërbe në fushën e lojës, por qëndroi taktikisht shumë mirë”, ka deklaruar Klodian Duro.

Ai ka theksuar se është i kënaqur me gjendjen fizike të lojtarëve të tij.

“Jam i kënaqur nga gjendja e mire fizike që kam gjetur skuadrën. Jemi munduar të rikthejmë formën e futbollistëve pas pushimit, pasi që është një ngarkesë e madhe të luash në çdo të treten ditë. Mendoj që në ndeshjet e radhës të jemi me preciz para portës dhe të arrijmë te fitoret”, ka thënë Duro për ‘Art Sport’.