Kessie optimist për titullin e kampionit

Milani është duke bërë një sezon fantastik duke qëndruar në krye të Serie A, me 40 pikë pas 17 xhirosh, me tri pikë më shumë se Interi.

Njëri prej lojtarëve më meritor për këtë formë të mirë të Milanit është mesfushori Franck Kessie.

Kessie ka treguar se si i ka motivuar trajneri i kësaj skuadre Stefano Pioli.

“Ai na mori mënjanë dhe filloi të na fliste për të na shpjeguar se çfarë donte nga ne. Grupi filloi të punonte me idetë e tij dhe tani ne vazhdojmë ta bëjmë këtë ditë pas dite. Që atëherë ne kemi ndryshuar fytyrën tonë. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Tani është Cagliari, nuk mendojmë për asgjë tjetër”, ka thënë 24 vjeçari.

Ish –mesfushori i Atalantës thotë se titulli i kampionit nuk duhet të jetë tabu për Milanin.

“Mendoj se, nëse do të kishim publikun, veçanërisht në “San Siro”, do të ishte shumë më mirë, sepse do të na jepte një shtysë të madhe. Mbase do të kishim rezultate më të mira. Titulli tabu? Pse duhet të jetë? Ne jemi Milani, historia flet për ne. Një klub si Milani nuk mund të ndihet jokomod nëse flitet për titullin”, ka deklaruar Kessie.

Milani në kuadër të xhiros së 18-të do të luajë ndaj Cagliarit të hënën në mbrëmje.