Katër vite nga fitorja e madhe e Kosovës në futboll

Më 13 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtarja më e re e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA).

Federata e Futbollit e Kosovës u pranua në FIFA, në kongresin e 66-të të mbajtur në Meksikë si anëtarja e 210-të.

Në favor të aplikacionit të Kosovës kishin votuar 141 anëtarë të FIFA-s.

Pranimi i FFK-së në FIFA ishte fitorja e madhe e thyerjes së izolimit të futbollit kosovar.

FFK-ja ishte pranuar në UEFA 10 ditë para se të pranohej në FIFA.

Ish-kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili e kishte përfaqësuar Kosovën edhe në Meksikë, kishte deklaruar se për një kohë të gjatë e kishin pritur këtë vendim.

“Moment shumë i rëndësishëm. Lojtarët do ta mirëpresin vendimin. E kemi pritur për kohë të gjatë këtë vendim”, ishte deklarata e parë e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, menjëherë pas kumtimit të rezultatit të votimit.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte deklaruar që vendimi për t’u bërë Kosova pjesë e FIFA-s, do të ngrente ura pajtimi.

“Shpresojmë se ky vendim do të ngrejë ura pajtimi”, kishte deklaruar presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi sot ka thënë se 3 maji dhe 13 maji janë data të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës.

“3 maji dhe 13 maji janë dy datat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës. Derisa para 10 ditësh e shënuam 4–vjetorin e anëtarësimit në UEFA, sot e shënojmë 4-vjetorin e anëtarësimit në familjen botërore të futbollit – FIFA. Këto dy data i dhanë vlerë dhe hov zhvillimit të futbollit tonë, i cili në këto vite ka bërë hapa të mëdhenj përpara”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se data 13 maj i vitit 2016 është shënuar në historinë e futbollit të Kosovës.

“Data 13 maj 2016, është datë e shënuar në historinë e futbollit të Kosovës, pasi rezultoi me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Sot është 4 vjetori i pranimit të FFK-së në organizatën kryesore të futbollit në botë dhe si datë ka një domethënie e një rëndësi për sportin e futbollit në vendin tonë. Kjo datë ka sjellë epilogun e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, duke i dhënë një shtysë zhvillimit dhe avancimit të futbollit në vendin tonë, i cili ka qenë një sport që është kultivuar dhe ka pasur traditë ndër vite në Kosovë”, ka thënë Dumoshi

Falë pranimit në FIFA, kombëtarja e Kosovës luajti në kualifikimet për kampionatin botëror “Rusia 2018”, në Grupin I, me kombëtare si Islanda, Kroacia, Ukraina, Turqia dhe Finlanda.

Pas 10 ndeshjeve, “Dardanët” u pozicionuan në vendin e fundit me vetëm një pikë nga 10 ndeshje.

Pas paraqitjeve të zbehta në kualifikimet për kampionatin botëror “Rusia 2018”, Kosova u këndell në kuadër të Ligës së Kombeve.

Të udhëhequr nga trajneri zviceran Bernard Challandes dhe duke i luajtur ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova pas gjashtë ndeshjeve u pozicionua në vendin e parë të Grupit 3, të Ligës D, me 14 pikë, duke i shënuar katër fitore dy barazime dhe asnjë humbje.

Triumfi  në Grupin 3, të Ligës D, në Ligën e Kombeve, solli entuziazëm te mbështetësit e Kosovës, të cilët e mbushnin plotë stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova bëri paraqitje të mira për kualifikimet për “Euro 2020” ( i cili është shtyrë për vitin 2021), me kombëtare të mëdha si Anglia, Republika Çeke e Mali i Zi.

Në Prishtinë, Mali i Zi dhe Çekia u gjunjëzuan nga lojtarët e Kosovës të cilët kishin mbështetje të pa rezervë nga “Dardanët” në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Bernard Challandes me djelmoshat e tij nuk ia arriti të kualifikohet për kampionatin europian “Euro 2020”, pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në Grupin A, u pozicionua në vendin e tretë me 11 pikë.

Por, “Dardanët” e kanë edhe një mundësi për ta prekur ëndrrën e tyre, që të jenë pjesë e europianit “Euro 2020” që luhet në vitin 2021.

Kosova do të përballet në gjysmëfinale të Ligës D, me Maqedoninë e Veriut, nëse fitojnë në këtë ndeshje, në finale do të përballen me njërin prej fituesve Bjellorusi – Gjeorgji. “Dardanëve” i duhet triumfimi në finale për t’u bërë pjesë e kampionatit europian, për herë të parë në histori të vendit tonë.

Lojtarë si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Arbër Zeneli e Valon Berisha, kanë premtuar se do të japin gjithçka nga vetja e tyre që ta dërgojnë Kosovën në kampionat europian.

4 vite më parë Kosova u bë pjesë e UEFA-s