Kapitenia në karantinë: Po mundohem të shtoj peshë

Futbolli në Kosovë është pezulluar përkohësisht që një muaj, shkaku i pandemisë së COVID-19.

Në mënyrë që mos të përhapet coronavirusi te sportistët, ekipet përkatëse kanë marrë vendim që t’i ndërpresin stërvitjet kolektive dhe të mos grumbullohen në vendet përkatese siç janë fushat për futboll.

Sportistët në pamundësi që t’i kryejnë stërvitjet në vendet përkatëse, janë izoluar në karantinë dhe duhet t’i improvizojnë ushtrimet në shtëpi në mënyrë që ta mbajnë formën e tyre.

Kapitenia e Kombëtares së Kosovës në futboll në kategorinë e vajzave dhe futbollistja e KFF Mitrovicës, Edona Kryeziu, në një intervistë për KALLXO.com, tregon se si po i kalon ditët e saj në karantinë.

Kryeziu, ndeshjen zyrtare e ka luajtur me 10 mars me Kombëtaren e Kosovës, kurse stërvitjen e fundit me Mitrovicën e ka bërë me 13 mars.

“Ndeshja e fundit zyrtare ishte ndeshja me Kombëtaren e Kosovës që e zhvillova me 10 mars kundër Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në atë kohë virusi COVID-19, nuk e kishte kapluar ende Kosovën. Kurse dita e fundit që kam stërvitur me ekip është data 13 mars, e premte. Prej asaj ditë jemi në pushim nga ekipi, por gjithmonë duke u stërvitur vet në shtëpi për ta mbajtur formën”, ka treguar Edona Kryeziu.

Karantina është sfidë në vete për sportistët, e këtë gjë e thotë edhe Edona, e cila thotë se po i mungojnë gjërat me të cilat i ka bërë stërvitjet e përditshme me klubin e saj.

“Nuk është aspak e lehtë të bësh trening në shtëpi, duke pasur parasysh se mungojnë pajisjet, rekuizitat, por gjithmonë po mundohem t’i zëvendësoj me ndonjë pajisje shtëpiake. Gjithashtu problemi kryesorë ndoshta mund të them se në shtëpi mundesh të përgatitesh fizikisht, por teknikisht është shumë problem, sepse nuk e ke asnjë bashkëlojtar që të bësh ndonjë ushtrim, ky është problemi kryesor që po më shfaqet, po detyrohem të luaj me murin që t’i ruaj ndjenjat për topin”, potencon futbollistja nga Rogoçica e Kamenicës.

Edona tregon se e kanë obligim që të stërviten tre herë në javë që ta mbajnë formën, por ajo po vazhdon me stërvitje pesë herë brenda javës që ta mbaj formën e saj. 23 vjeçarja po bën stërvitje nga një orë e gjysmë.

“Deri këtë javë kemi pasur obligim nga klubi që të bëjmë stërvitje pesë herë janë me programin që na ka përgatitur trajneri, por pasi që COVID-19, çdo ditë e më shumë po përhapet nuk dihet se kur fillon kampionati, ose a do të vazhdoj. Nga kjo javë e kemi reduktua treningun në tre herë në javë obligative, por unë vazhdoj të bëj stërvitje përsëri pesë herë në javë nga 1 orë e gjysmë që ta mbaj formën sa më mirë”, rrëfen Edona për KALLXO.com.

Kapitenia e “Dardaneve”, zbulon se gjatë karantinës është duke u munduar që të shtojë ndonjë kilogram. Ajo po ashtu ka treguar se është duke i përforcuar recetat e përgatitjes së ushqimit në kuzhinë.

“Ndonjë recet të re nuk kam mësuar, por i kam përvetësuar receta të cilat i kam ditur t’i përgatis, po ashtu i kam mësu se ku i kemi enët në shtëpi. Gjatë kësaj kohe në karantinë, unë po mundohem të shtoj peshë, sepse në krahasim me gjatësinë që e kam, kam peshë më pak, nuk jam duke u ruajtur në ushqim dhe po ha sa më shumë kalorik që t’i shtoj disa kilogramë”, zbulon kapitenia e Kosovës.

Krejt për fund, Edona Kryeziu ka një këshillë për të gjithë popullin e Kosovës, duke i kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi.

“Duke e pasur parasysh që virusi po përhapet me të madhe, iu kisha bërë thirrje që të rrini sa më shumë në shtëpi, ta ruajmë shëndetin tonë dhe familjet tona, së bashku do ta kalojmë këtë sfidë”, thotë Edona Kryeziu.

 

Tenis n’oborr: Blearta Ukëhaxhaj tregon se si po i kalon ditët në karantinë