Kapiteni i Dritës porosi për Ballkanin: Titulli duhet të fitohet në fushë

Janë bërë pothuajse dy muaj që aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar nga Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19.

Temë diskutimi është se a duhet të rinisë kampionati i Superligës së Kosovë në futboll në kategorinë e djemve, apo duhet të anulohet.

Federata e Futbollit e Kosovës ka kërkuar nga organet përgjegjëse që t’ia japin dritën e gjelbër për vazhdimin e kampionatit, por ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar.

Pas 22 xhirove, Ballkani pozicionohet në vendin e parë me 44 pikë, një pikë më shumë se Drita, që është në vendin e dytë.

Suharekasit po kërkojnë që të pezullohet kampionati përfundimisht dhe titulli i kampionit për këtë vit t’u shkojë atyre.

Por të këtij mendimi nuk janë skuadrat e tjera.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, në një intervistë për KALLXO.com, e ka porositur Ballkanin se titulli fitohet në fushë dhe jo të shpallet kampion pa u zhvilluar të gjitha ndeshjet.

Ardian Limani ka treguar se si po e kalon një ditë në ngujim.

“Pothuajse çdo ditë është e njejtë për mua në karantinë. Unë çdo ditë bëj stërvitje nga ora 14:00 deri në orën 16:00, pastaj shumicën e kohës e kaloj në shtëpi dhe herë pas herë duke bërë ecje në një zonë malore afër shtëpisë ku unë banoj”, tregon fillimisht futbollisti gjilanas.

Futbollistët e Dritës janë duke bërë stërvitje individuale, sipas planit të dhënë nga trajneri, tregon mbrojtësi i kësaj skuadre Ardian Limani.

“Të gjithë futbollistët e Dritës janë duke bërë stërvitje individuale në bazë të programit të rekomanduar nga stafi i trajnerëve, përveç grupit të futbollistëve që jetojnë në Gjilan, stërvitemi në grupe të vogla nga 2-3 futbollistë”, tregon ai.

Kapiteni i “intelektualëve” stërvitjet indivuduale i cilëson monotone, ai thotë se për të qenë të gatshëm për lojë i duhen dy javë stërvitje intensive me skuadër.

“Stërvitjet janë më monotone, por duhet të sakrifikojmë edhe pak sa ka mbetur. Mendoj që në këto kushte mund të ruhet rreth 60% e formës dhe do të na duheshin të paktën dy javë stërvitje intensive për t’u rikthyer në formën të cilën e kemi pasur para se të pezullohej kampionati”, vlerëson Ardian Limani.

Ardian Limani insiston se duhet të rinisë kampionati. Ai thotë se Ballkani duhet ta fitojë titullin në fushë, pasi një titull të cilën po e kërkojnë suharekasit do të ishte një gjysmë titull.

“Unë po mendoj që po të kishte qenë Ballkani në ndonjë pozitë jo të mirë, me ngulm do ta kërkonte rifillimin e kampionatit. Andaj si çdo skuadër tjetër edhe ata duhet që ta kërkojnë nisjen e garave, sepse një titull i tillë gjithmonë do të ishte një gjysmë titull që nuk është fituar në fushe ende. Diferenca është shumë e vogël, prandaj nuk duhet të ketë titull, por në fund të fundit çfarëdo që vendos FFK-ja ne do ta pranojmë”, shprehet 26 vjeçari për KALLXO.com.

Ardianit po i mungojnë takimet me shokët e skuadrës dhe zëri i tifozërisë – “Intelektualëve”.

“Gjëja që më së shumti më mungon është pamundësia për t’i takuar çdo ditë shokët e skuadrës dhe për ta dëgjuar zërin e tifozëve tanë që gjithmonë i japin kuptim futbollit”, tregon mbrojtësi gjilanas.