Jep dorëheqje kryetari i KB Pejës

Ka dhënë dorëheqje kryetari i Klubit basketbollistik Peja, Art Gashi.

Gashi përmes një letre të hapur ka konfirmuar dorëheqjen nga ky post.

Ai ka thënë se pas nëntë viteve largohet nga klubi pejan.

“Ky është viti im i nëntë si kryetar i klubit qysh kur jam zgjedh nga Kuvendi në shtator të vitit 2011. Pra, gati një dekadë në udhëheqje të njërit prej klubeve më të famshme të Kosovës dhe këtë e kam bërë me krenari e dinjitet edhe pse kam kaluar shumë sfida e probleme”, ka shkruar Art Gashi në Facebook.

Gashi thotë me dorëheqjen e tij dëshiron që të hapë rrugë për dikë që ka më tepër kohë dhe mundësi të zhvillohet për klubin.

“Përmes këtij shkrimi dëshiroj ta bëj publike dorëheqjen time nga pozita e kryetarit, duke mos dashur ta çoj deri në fund mandatin tim të tretë dhe ta hap rrugë për dikënd, i cili ka më tepër kohë dhe mundësi që të angazhohet rreth klubit. Edhe pse gjithherë kam qenë i hapur për të gjithë kandidatët potencial mendoj se qëndrimi im ka prish punë. Disa nuk kanë ardhur nga respekti, e disa nga frika e përgjegjësisë duke e lënë mbi mua këtë barrë”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se KB Peja në sezonin e kaluar e kishte fituar Kupën e Kosovës ndaj KB Yllit.