Ivic: Dëshiroj të përparoj duke luajtur te kombëtarja e Kosovës

Futbollisti i ri serb në radhët e Flamurtarit, Ilija Iviv i cili kohët e fundit ka qenë në vëmendje të opinionit ka folur për RTK 2.

Ai ka thënë se nuk sheh arsye përse ka kaq vëmendje të madhe të mediave, ngase ai vetëm po e bën atë që e donë dhe po mundohet ta realizojë ëndrrën e tij që një ditë të luajë në ndonjë klub të madh.

Në fakt, ditët e fundit ky futbollist i talentuar është kritikuar ashpër në mediat e Serbisë, pasi pranojë ftesën për të luajtur për Përfaqësuesen U 19 të Kosovës. Madje, prindërit e tij janë larguar nga puna në Graçanicë dhe kanë marrë kërcënime të ndryshme për shkak se djali i tyre vendosi të luajë për Kosovën.

“Futbollin e dua që nga fëmijëria dhe jetoj për futbollin, derisa te Flamurtari jam që tri vite të plota dhe kurrë nuk kam pasur probleme. Qëndrimi im është i qartë, dëshiroj të përparoj dhe këtë do të mundohem ta arrij duke luajtur për Përfaqësuesen e re të Kosovës. Përndryshe, kurrë askush nga Federata e Futbollit të Serbisë nuk më ka thirrur, për të më pyetur se si jam apo si jetoj. Nuk jam i zemëruar në askënd, secili e ka rrugën e tij”, ka thënë Ivic.

Për presionin ndaj futbollistit Ivic fillimisht ka reaguar Federata e Futbollit e Kosovës e më pas edhe Komiteti Olimpik, Ministria e Sportit, por edhe kryeministri Albin Kurti dhe ambasadatat e vendeve perëndimore.