Ismet Munishi dënohet nga FFK-ja pas deklaratave publike në emision sportiv

Trajneri i klubit të SC Gjilanit, Ismet Munishi është dënuar nga komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, pas deklaratave publike të bërë në një emision sportiv më 4 prill.

Munishi kishte deklaruar në emisionin sportiv të televizionit ATV, se skuadra e Prishtinës i kishte referat me veti në ndeshjen ndaj skuadrës së tij Gjilani, ndeshje e cila përfundoi me rezultat 0-0.

Komisioni disiplinor i shkallës së parë e ka dënuar Munishin me 500 euro, shumë të cilën duhet ta paguajë brenda tetë ditëve.

“Kryetrajneri i SC Gjilani, Ismet Munishi me numer të ID 009766M74. Në emisionin sportiv të ATV me 04.04.2021 deklaron se në ndeshjen FC Prishtina – SC Gjilani të javës së 26-të, FC Prishtina në favor të vetin kishte referet si (lojtarin e 12) dhe ndikuan në rezultatin përfundimtar të ndeshjes si dhe prejudikon sipas teorive të tij se kush do të bëhet kampion duke thyer etiken sportive. Bazuar ne nenin 40 paragrafi 1 pika c i rregullores disiplinore. Dënohet me të holla me shumë prej 500 Euro. Afati i pagesës është 8-ditë nga data e vendimit”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.