Ish-futbollisti Ryan Giggs | Foto: Official Facebook Page/Ryan Giggs

Ish-futbollisti Ryan Giggs në gjyq për dhunë në familje

Ish-menaxheri i Uellsit dhe ish-futbollisti i Manchester United, Ryan Giggs, është shfaqur para një gjykate në Mançester të hënën, pasi po gjykohet për dhunë në familje.

Prokurori Peter Wright i tha jurisë në Minshull Street Crown Court në Mançester se ndërkohë që aftësitë e Giggs-it në futboll ishin diçka e bukur, jeta e tij jashtë fushës ishte shumë e ndryshme.

“Në privatësinë e jetës së tij personale në shtëpi ose pas dyerve të mbyllura, ne themi se faktet zbulojnë, se kishte një anë shumë më të shëmtuar dhe më të keqe të karakterit të tij”, tha Wright para jurisë.

“Kjo ishte një jetë private që përfshinte një sërë abuzimesh, fizike dhe psikologjike, të një gruaje që ai deklaroi se e donte.”

48-vjeçari Giggs akuzohet se e ka sulmuar Kate Greville, 36 vjeçare, dhe ka shkaktuar lëndime trupore në shtëpinë e tij në Worsley, Greater Manchester në nëntor të vitit 2020.

Ai gjithashtu akuzohet për sulm të përbashkët ndaj motrës më të vogël të Greville gjatë të njëjtit incident, si dhe duke përdorur sjellje kontrolluese dhe shtrënguese ndaj ish të dashurës së tij midis gushtit 2017 dhe nëntorit 2020.

Gjykata dëgjoi se si Giggs “humbi plotësisht vetëkontrollin dhe ai qëllimisht goditi me kokë Kate, duke i shkaktuar asaj një ënjtje në buzë dhe mavijosje”.

Giggs i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai u largua nga posti i trajnerit të ekipit kombëtar të Uellsit në qershor, duke thënë se nuk donte t’i rrezikonte përgatitjet për Kupën e Botës më vonë këtë vit në Katar.

Ai ka qenë joaktiv që nga nëntori i vitit të kaluar.

48-vjeçari është lojtari më i dekoruar në historinë e futbollit anglez, pasi ka ndihmuar United për t’i fituar trembëdhjetë tituj të Premier League dhe dy trofe të Champions League, përpara se të pensionohej nga futbolli në vitin 2014.

Ai zyrtarisht dha dorëheqjen si trajner i Uellsit në muajin qershor. Zëvendësuesi i tij, Robert Page, e ka udhëhequr Uellsin në Kupën e Botës së parë në gjashtëdhjetë e katër vjet dhe do ta marrë drejtimin në Katar më vonë këtë vit.

Gjyqi, i cili ishte vonuar në mes të një numri të madh çështjesh gjyqësore të shkaktuara nga pandemia COVID-19, pritet të zgjasë deri në dhjetë ditë./Euronews