Foto:Facebook/Inter

Interi fiton Kupën e Italisë në futboll

Interi ka fituar kupën e Italisë në futboll, duke e mposhtur në finale Juventusin me rezultat 4-2.

Ndeshja shkoi në vazhdime, pasi 90 minutat e para përfunduan me rezultat të barabartë 2-2, ndërsa në pjesët shtesë Interi shënoi edhe dy gola të tjerë, duke e siguruar fitoren.

Rezultatin e zhbllokoi Nicolo Barella në minutën 6’, duke i dhënë Interit eperësinë e hershme, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në fillim të pjesës së dytë Juventusi ‘shpërtheu’ për dy minuta duke shënuar dy gola me Alex Sandron në minutën 50’ dhe Vlahovic në minutën e 52’.

Në anën tjetër Interi arriti ta fitojë një penalti 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, të cilën e shndërroi në gol Calhanoglu, duke barazuar në 2-2.

Në kohën shtesë të ndeshjes, Interi e fitoi edhe një penalti tjetër, të cilën kësaj radhe e ktheu në gol Ivan Perisic, në minutën e 99’.

Perisic u përkujdes ta vulosë fitoren e Interit në minutën e 102’ të kohës shtesë, ku shënoi një tjetër gol.

Interi vazhdon ‘luftën’ për një tjetër trofe këtë vit, pasi është në garë ende për trofeun e Serie A, ku gjendet në vendin e dytë me 78 pikë, dy më pak se Milani.