Historia e çikave nga Mitrovica, trajneri dëshiron përballjen me Barcelonën

Cikat e Kosovës kanë bërë edhe një herë historinë. Këtë herë në futboll.

Ekipa Kampione e Kosovës në futboll në konkurrencën e vajzave, KFF Mitrovica ka kaluar me sukses fazën e kualifikimeve në garën e Ligës së Kampionëve dhe janë renditur në vendin e parë në Grupin 2.

Trajneri i skuadrës mitrovicase, Seid Onbashi, në një deklarim për KallxoSport tha se nuk e kishin pritur që të fitonin të gjitha ndeshjet në grup, ndërsa tha se suksesi i arritur është meritë e të gjithëve.

“Me të thanë të drejtën, nuk i kemi pritë sukseset që i kemi arrit me tri fitore në Ligën e kampionëve, ndoshta kemi pritë ndonjë barazim apo ndonjë fitore të paktën. Jemi kanë outsajder, por me meritën e të gjithëve së bashku, një koordinim më mes kryesisë, shtabit teknik dhe lojtarëve. Është një sukses i madh për neve si klub për qytetin e Mitrovicës dhe për krejt Kosovën”, tha Onbashi.

“Nuk është sukses vetëm i joni por i gjithë Kosovës sepse ne e kemi përfaqësuar të gjithë Kosovën, jo veç Mitrovicën”, tha tutje trajneri me karrierë 10 vjeçare.

Ai tha se KFF Mitrovica do të ketë përballjet e ardhshme shumë të forta, por do të luftojnë që të shkojnë tutje në garën e më të mirave të Evropës.

“Nesër është shorti, po presim kush po na bjen, se tash e dimë që kemi të bëjmë me ekipe shumë të forta por ne nuk do të dorëzohemi do të shohim, sic kemi bërë befasi në grup besoj se do të mundohemi të bëjmë ndonjë befasi të shkojmë sa më larg, shpresojmë shumë”, deklaroi Onbashi.

“Kemi shumë ekipe të forta përball siç është Barcelona, Lyoni, City, Bayern, Fiorentina, të gjitha ekipe të forta”, thotë tutje ai.

Ai ka shprehur edhe dëshirat për përballjet e ardhme. Ekipin nga Franca tha se nuk do ta dëshironte për kundërshtar ndërsa një ekip tjetër me famë nga Spanja e mirëpret.

“Unë kisha pas dëshirë që mos me na ra ekipi i Lyonit, ë është ekipi zyrtar fitues i ligës së kampionëve. Kisha pasur dëshirë që të na bijë ekipi i Barcelonës, vetë emri është një motivim për ne edhe më shumë”, deklaroi ai për KallxoSport.

Nesër pritet të tërhiqet shorti në Nion për fazën e eliminimit direkt në garën e Ligës së kampionëve, kategoria e vajzave, ndërsa ndeshjet e para mund të zhvillohen më 11 dhe 12 shtator dhe ato të kthimit pas dy javësh.

Vajzat na zdritin fytyrën edhe në futboll, kualifikohet në Ligën e Kampionëve

FOTO: Atdhe Mulla

www.kallxo.com