Hidhet shorti për çerekfinalet e Kupës së Kosovës në Futboll, këto janë çiftet

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në Futboll.

Skuadra fituese e edicionit të kaluar Llapi do të përballet kundër Gjilanit. Llapi në këtë ndeshje vjen pas fitores kundër Ferizaj ndërsa Gjilani pas fitores kundër Dukagjinit.

Takimi më interesant pritet të jetë midis Prishtinës dhe Ballkanit. Prishtina vjen pas fitores kundër Drenicës kurse Ballkani pas fitores kundër Malishevës.

Në takimet tjera përballen Drita-Ulpiana, Drita vjen në këtë ndeshje pas fitores bindëse përball Fushë Kosovës ndërsa Ulpiana pas fitores përball Arbërisë.

Takimi i fundit është ai ndërmjet KEK-ut dhe Ramiz Sadiku. KEK-u vjen pas fitores në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0 kundër Onix kurse Ramiz Sadiku vjen pas fitores përball 2 Korrikut.

Ndeshjet çerekfinale pritet të zhvillohen me 16 mars.