Hendbollistët nga Serbia zhvilluan ndeshje me skuadrën serbe nga Kosova në Zubin Potok (VIDEO)

Ekipi serb i hendbollit RK Mokra Gora që është nga Zubin Potoku i Kosovës, bën gara në Superligen B, Lindje – Perendim, ku bëjnë gara 12 skuadra nga Serbia.

Ajo zhvilloi ndeshje si vendas kundër Hajduk Veljko nga Krahina e Negotinës, në Zubin Potok.

Ndeshja është transmetuar live në uebfaqen zyrtare të Superligës B, Lindje – Perendim në youtube.

Këtë ndeshje e ka fituar Mokra Gora me rezultat 23-15.

Mokra Gora pozicionohet në vendin e parë me 29 pikë nga 16 xhiro, një pikë më shumë se Hajduk Veljko që është nga Krahina e Negotinës.

Zhvillimi i kësaj ndeshjeje është shkelje ligjore pasi nuk respektohen ligjet e Kosovës dhe Federata e Hendbollit e Kosovës.

KALLXO.com, ka kontaktuar nënkryetarin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Enis Idrizin.

Idrizi ka treguar për KALLXO.com se i kanë njoftuar autoritet e Kosovës për zhvillimin e këtyre garave dhe për zhvillimin e kësaj ndeshjeje do të diskutojnë në kongresin e ardhshëm që të do të mbahet në Austri nga Federata Europiane e Hendbollit.

“Po, ne gjatë takimit të vitit të kaluar me Federatën Europiane të Hendbollit jemi dakorduar në prezencën e kryetarit të Hendbollit dhe sekretarit të përgjithshëm, që ndeshjet e tilla të mos përseriten. Ne u kemi treguar autoriteteve policore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata i kanë të gjitha autorizimet që ekipet e tilla të mos lejohen të futen zyrtarisht. Nëse ekipet janë futur ilegalisht, kjo do të ketë pasoja prej Federatës Europiane të Hendbollit në kongresin e ardhshëm që do të mbahet në javën e ardhshme në Vjenë prej datës 23 deri më 26 prill”, ka thënë nënkryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Enis Idrizi për KALLXO.com.

Enis Idrizi ka treguar se deri sot nuk është lejuar asnjë skuadër e Serbisë t’i zhvillojë ndeshjet në Kosovë me skuadrën Mokra Gora.

“Kjo është loja e parë që Mokra Gora e ka zhvilluar që një vit e gjysmë në Zubin Potok. Deri tani autoritet policore asnjëherë nuk e kanë lejuar asnjë ekip kundërshtar të tyre të futet brenda territorit të Kosovës për të zhvilluar lojë. Kjo do të jetë temë e diskutimit në Kongresin e ardhshëm të të Federatës Europiane të Hendbollit”, ka nënvizuar Enis Idrizi për KALLXO.com.