Hendbollistët e Kosovës synojnë kualifikimin në  kampionatin europian “Euro 2022”  

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në kategorinë e djemve, ka mësuar kundërshtarët për kualifikimet e europianit “Euro 2022”.

Kosova do të bëj gara në grupin 8 së bashku me Suedinë, Malin e Zi dhe Rumaninë.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Taip Ramadani, ka thënë se janë përpara një sfide të vështirë, por jo të pamundur.

“Rezultatet pozitive në kualifikimet e kaluara kanë bërë që tani të marrim pjesë në raundin e dytë kualifikues, pa pasur nevojë për paraqitje në raundet parakualifikuese. Realisht kemi pritur këtë nivel të kundërshtarëve”, ka thënë Ramadani.
Ramadani, ka theksuar se synimi i tyre mbetet kualifikimi historik në kampionatin europian “Euro 2022”.

“Synimi është kualifikimi në Euro 2022. Detyrë e jona është t’i fokusojmë gjithë energjitë tona në këtë drejtim për të realizuar këtë synim. Suedia është favorit në këtë grup dhe ka shanset më të mëdha për të udhëhequr grupin. Mali i Zi dhe Rumania janë super ekipe me përvojë të madhe ndërkombëtare, por nuk e kanë konsistencën e Suedisë. Kjo është dëshmuar në kualifikimet e fundit për Evropian, befasitë janë të mundshme, sidomos para publikut vendor dhe sidomos për ne. Rumania dështoi të kualifikohet në Euro 2020, kurse Mali i Zi u kualifikua me dy humbje dhe një barazim shokues ndaj Ishujve Faroe në Podgoricë”, ka thënë Ramdani për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Ai insiston se Kosova pritet të jetë në 20 kombëtaret që kualifikohen në europian.

“20 nga 32 ekipet kombëtare kalojnë në kampionat evropian. Ne do të mundohemi të jemi një nga këto 20”, ka deklaruar Ramadani.