Hendboll, Vushtrria Kampione e Kosovës

Vushtrria ka shënuar fitore me rezultat 22:21 ndaj Istogut në ndeshjen e tretë të finales së play-offit.

Golin e fitores e shënoi Donita Kasumi.

Ndeshja është luajtur në Istog, ndërsa Vushtrria me rezultat 2:1 në finale të play-off-it shpallet kampione në Superligën e Kosovës në hendboll për vajza.

Portierja Kelmendi, që ka bërë mbi dhjetë pritje, ndali gjuajtje në fund për të pamundësuar barazimin.

Ndeshja ishte shumë e fortë e shumë dramatike. Vushtrriaset në fund kanë realizuar sulme rresht, sidomos nga alot, për të shkrirë epërsinë e vendaseve. Në pjesën e dytë epërsia e Istogut shkoi deri në 4 gola, 21:17. Por më pas vushtrriaset shënuan pesë gola rresht për ta fituar titullin. Luljeta Sopjani barazoi rezultatin në 21:21 në minutën e 59-të, kurse golin e fitores e shënoi Donita Kasumi në minutën e fundit.

Esma Muratoviq shënoi 9 gola për Istogun, por që nuk mjaftuan. Te Vushtrria 6 gola i kishte Donita Kasumi, kurse nga 5 i kishin Luljeta Sopjani e Lorena Matarova.

Por kontribut të madh për titull kanë dhënë të gjitha lojtaret duke nisur nga kapitenia Shqipe Tahiri, portierja Kelmendi, Burneta Rama, Kasumi, Sopjani, Matarova, Zade Zymeri e gjithë të tjerat. Natyrisht merita të mëdha ka trajneri Arben Parduzi.

Kupen kapitenes Shqipe Tahiri ia dorëzoi nënpresidenti i FHK-së, Enis Idrizi.