Hendboll: Vushtrria fiton Kupën e Kosovës

Vashat vushtrriase e kanë fituar Kupën e Kosovës në hendboll për sezonin 2019/2020.

Vushtrria sot e ka mposhtur Istogun me rezultat 22:17.

Finalja ishte interesante dhe cilësore duke u luftuar deri në fund nga të dy skuadrat.

Kapitenja e Vushtrrisë, Shqipe Tahiri, kupën e pranoi nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi dhe presidenti i FHK-së Eugen Saraçini.

Vushtrria nisi shkëputjen pas minutës së gjashtë, kurse tri gola epërsi i kishte në minutën e 10’. Istogu në pjesën e parë u afrua në një gol, por epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në gjashtë gola. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 13:8 për Vushtrrinë.

Kjo skuadër e mbajti epërsinë edhe në pjesën e dytë. Istogaset u afruan prapë deri në një gol (16:15), por prapë Vushtrria u shkëput dhe ia doli të mbajë epërsinë deri në fund.

Te Vushtrria u dallua portieria Njomza Kelmendi dhe liderja Burneta Rama, që shënoi 9 gola. Por edhe kapitenja Sh. Tahiri dhe të tjerat ofruan maksimumin dhe dhanë kontribut të çmueshëm.

Te Istogu u dallua portieria B. Ahmetxhekaj, kurse më efikasja ishte kapitenia Albina Rugova me 7 gola.