Hendboll: Kapitenia e Kosovës i bashkohet skuadrës së njohur daneze

Kapitenia e Kosovës në hendboll, Leonora Demaj është bërë me skuadër të re.

Demaj iu është bashkuar skuadrës së Ringkobingut që është promovuar në elitën e Danimarkës nga kategoria e dytë.

Danimarka është njëri prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në botë dhe ky është një hap i madh për Leonora Demajn.

Ringkobingu ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me kapitenen e Kosovës. Te kjo skuadër luajnë motrat Marigona dhe Arlinda Hajdari, po ashtu reprezentuese të Kombëtares së Kosovës.

23 vjeçarja nuk ka luajtur për Kosovës nga nëntori i vitit 2019, pasi në mars të vitit të kaluar i kishte këputur ligamentet e gjurit duke u operuar. Ajo ende është në fazën e rikuperimit dhe pritet t’i nisë stërvitjet në qershor për të qenë e gatshme për sezonin e ardhshëm.

Trajneri i skuadrës norvegjeze, Jesper Holmris ka thënë fjalë të mëdha për transferimin e Lenora Demajt.

“Leonora për disa edicione ishte njëra prej lojtareve të profilit të lartë dhe golashënuese e dalluar në Divizionin e parë për Sonderjysken. Leonora është lojtare e gjithanshme që me shpejtësinë dhe aftësitë e mira për gjuajtje dhe shpërthim, do të përshtatet mirë në lojën tonë. Një lëndim serioz i ligamentit e ka mbajtur Leonorën jashtë për një vit. Por fizioterapeuti ynë e ka lavdëruar atë për rehabilitimin që ka bërë dhe ajo po kthehet më e fortë. Po shohim para për të parë Leonorën me fanellën numër 77 të Ringkobingut”, ka thënë trajneri i kësaj skuadre, Jesper Holmris.

Demaj ka thënë se është e lumtur që iu është bashkuar skuadrës së Ringkobingut.

“Jam shumë e lumtur që do të kem mundësinë të luaj sërish në elitë. Kam pasur biseda të mira me Jesper Holmris dhe jam e sigurt se Ringkobingu përshtatet shumë mirë për mua dhe ambiciet e mia. Mezi pres të bashkohem në verë dhe të filloj me hendboll sërish”, ka thënë Demaj për faqen zyrtare të klubit.