Hendboll: Kapiteni i Kosovës kërkon fitore ndaj Malit të Zi

Kombëtarja e Kosovës në hendboll të mërkurën nga ora 19:30, do të përballet me Malin e Zi në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”.

Kosova bën pjesë në Grupin 8 dhe kërkon vendin e dytë që garanton kualifikimin, kurse prej vendit të tretë kualifikohen katër prej tetë kombëtareve më të mira në grup.

Kapiteni i “Dardanëve” Valon Dedaj, ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit duke thënë se synimi i vetëm për ta është fitorja.

“Si çdo ndeshjeje tjetër edhe kësaj i qasemi me shumë seriozitet dhe me synim për fitore. Kjo ndeshje për dallim nga të tjerat, ka një rëndësi më të madhe pasi që në rast të fitores kemi gjasa të jemi në Kampionat Evropian. Jemi pak në presion për këtë ndeshje, por ekipi i Malit të Zi mendoj që ka më shumë presion. Nëse e japim maksimumin, luajmë lojë të kujdesshme dhe efikase, besoj se në fund do të arrijmë të kemi rezultatin që e dëshirojmë”, ka thënë kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.