Hamilton: Secilin vit e ndryshoj mënyrën e të garuarit

Lewis Hamilton ka treguar disa detaje që tifozët e tij mund të mos i kenë ditur.

Ylli britanik i Formula 1 po vazhdon të ndjejë mungesën e garave në pistat më të shpejta të botës, me F1 që vazhdon të jetë e suspenduar si pasojë e Covid-19.

Sezoni 2020 i F1 nuk ka marrë startin akoma, kurse këtë me padurim po e pret Hamilton, i cili duket se këtë vit do të na tregojë diçka të re nga aftësitë e tij.

Përkundër gjashtë titujve të kampionit të botës, Hamilton nuk kënaqet asnjëherë me stilin e tij të garës, duke thënë se çdo vit ndryshon diçka në mënyrën e vozitjes.

“Mund të përmirësohesh gjithmonë. Ne nuk fituam të gjitha garat gjatë vitit të kaluar. Në rrethana të ndryshme, ne ngecnim dhe kishte elemente të caktuara që na siguruan fitoren”, citohet të ketë thënë Hamilton, transmeton lajmi.net.

“Ka gjithmonë sfera në të cilat mund të përmirësohesh. Si pilot, unë mendoj se si mund të përmirësojë komunikimin tim me skuadrën? Si mund të ofrojë paraqitje më të imra?”, ka shtuar britaniku.

“Kështuqë, nuk ka të bëj me teknikën, pasi unë e ndërroj atë secilin vit. E bëj edhe në mes të sezonit. Teknikat evoluojnë”, ishin fjalët e Lewis Hamilton.

Hamilton do të vazhdojë ndjekjen e Michael Schumacher, për të barazuar me titujt e kampionit të botës, dhe pse jo ndoshta edhe ta tejkalojë.