Hadergjonaj pa fjalë pas humbjes nga Maqedonia e Veriut

Kombëtarja e Kosovës i ka humbur shpresat për të luajtur në Kampionatin Europian, “Euro 2020”, pas humbjes me rezultat 2-1, nga Maqedonia e Veriut, në kuadër të gjysmëfinales së play-off-it në Ligën D, të Liges së Kombeve.

Golashënuesi i vetëm i Kosovës në këtë ndeshje, Florent Hadergjonaj pas lojës ka deklaruar se ka mbetur pa fjalë.

“Normalisht, është vështirë të gjej fjalët, pas kësaj loje. Për mua do të ishte më mirë të mos shënoja gol, por që të fitonim. Ne ishim të përgatitur veç për fitore e të shkonim në finale, të kënaqim popullin tonë. Vështirë të gjejmë fjalët. Duhet të shikojmë, të flasim me veten e për të kaluar këtë fazë të vështirë për ne”, ka thënë ai pas takimit në Shkup.

Hadergjonaj ka thënë se nuk patën koncentrim në këtë ndeshje.

“Nuk patëm koncentrim në momentin e duhur. Tash është vështirë të gjejmë arsyet se çka ishte mirë e çka keq”, është shprehur ai.