Guinea anulon pjesëmarrjen në “Tokio 2020”

Shteti i Afrikës Perëndimore, Guinea, ka konfirmuar gjatë ditës së sotme se do ta anulojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Guinea ka dhënë lajmin e hidhur duke e shuar ëndrrën e pesë sportistëve që kishin siguruar paraqitjeten në Olimpiadë.

Ministri i Sporteve, Sansoussy Bantama Sow e ka njoftuar përmes një letre presidentin e Komitetit Olimpik të Guinesë duke e fajsuar ringjalljen e COVID-19 dhe varientave të tjera të virusit.

“Për shkak të ringjalljes së varianteve të COVID, Qeveria është e shqetësuar dhe për ruajtjen e shëndetit të atletëve të Guineas, ka vendosur me keqardhje të anulojë pjesëmarrjen e Guinesë në Olimpiadën e 32-të të planifikuar për Tokio”, thuhet në deklaratën e ministrit Sow.

Fatoumata Yarie Camara e cila do të garonte në mundje është shprehur e trishtuar nga lajmi se nuk mund të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

“Pyetja që i bëj vetes është pse Guinea ka vendosur të mos marrë pjesë në Lojërat Olimpike për shkak të koronavirusit, kur vendi organizator si Japonia nuk i ka anuluar këto lojëra për shkak të kësaj sëmundjeje. Pse? Kjo është ajo që unë pyes dhe unë ende nuk mund të gjej një përgjigje”, ka thënë Camara.