Granit Xhaka: Thirrje kam marrë vetëm nga Lorik Cana dhe jo nga Federata e Shqipërisë

Granit Xhaka ka treguar arsyen se përse nuk luan për Kombëtaren e Shqipërisë, por mbron ngjyrat e Kombëtares së Zvicrës.

Gjatë një bisede të zhvilluar në rrjetin social TIK-Tok, Xhaka e ka folur edhe një herë për mospërfaqësimin e tij në Kombëtaren Shqiptare të Futbollit.

“Do të flas për këtë temë dhe do ta mbyll këtë temë. Ishim shumë të rinj, kur babai im na ofroi te Shqipëria, por nuk kishte interesim aso kohe”, ka deklaruar fillimisht Granit Xhaka.

Ai thotë që u telefonua vetëm nga Lorik Cana dhe jo nga Federata Shqiptare e Futbollit.

“I vetmi njeri që më ftoi te Shqipëria ishte Lorik Cana, nuk ia harroj kurrë. Më telefonoi edhe më pyeti se si ishte situata, por nga FSHF-ja nuk kishte asnjë telefonatë apo takim”, është shprehur Xhaka.

Xhaka ka folur edhe për momentin kur ka marrë ftesë nga Kombëtarja e Zvicrës.

“Kjo ishte ana e Shqipërisë. Nga ana e Zvicrës, isha i ri, nuk kisha kohë të mendoja. Dhe kur të ulet Otmar Hitzfeld, trajneri legjendar, i cili më tha se më donte gjithsesi te Zvicra, për mua ishte gjë e madhe”, ka theksuar 29 vjeçari.

Xhaka ka debutuar për Zvicrën në qershor të vitit 2011. Ai deri më tash ka zhvilluar 98 paraqitje dhe ka shënuar 12 gola.

Xhaka pritet të ftohet nga Zvicra në ndeshjen miqësore që Zvicra do ta zhvillojë me 29 mars kundër Kosovës.