Foto: FFK

Gjyqtarëve të futbollit u ligjërohet kundër kurdisjeve të ndeshjeve

Në kuadër të përgatitjeve intensive që Federata e Futbollit e Kosovës po bën për fillimin e edicionit të ri të garave, sot, në Gjilan, zyrtari për integritet të garave, Ejup Osmani, ka mbajtur ligjëratë kundër kurdisjes së ndeshjeve me gjyqtarët e ndeshjeve.

Ai ka thënë se këto ligjërata po mbahen me qëllim të parandalimit të çdo lloj përpjekjeje të manipuluesve të ndryshëm, të cilët duan që nëpërmjet kurdisjeve të ndeshjeve në futboll të përfitojnë shuma të konsiderueshme parash.

Për këtë arsye, ka theksuar Osmani, është e nevojshme që gjyqtarët e futbollit të jenë të vëmendshëm, pasi shpesh janë target i individëve dhe grupeve të caktuara që synojnë ndërhyrjen e tyre në rregullshmërinë e një ndeshje.

“Prandaj, është e domosdoshme që gjyqtarët t’i thonë ‘Jo’ çdo oferte apo dhurate që vjen nga manipuluesit e tillë, e të cilët janë të lidhur me krimin dhe paratë e pista”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Më tej në këtë ligjëratë është thënë se çdo rast të tillë eventual, gjyqtarët e ndeshjeve duhet ta denoncojnë në Zyrën për Integritet të Garave në FFK, në mënyrë që së bashku të luftohet në parandalimin e kësaj dukurie, e cila ka përfshirë shumë vende në botë dhe është kërcënimi më i madh për futbollin.

Përveç kurdisjes së rezultateve, manipuluesit mundohen të ndikojnë tek gjyqtarët edhe në numrin e golave, numrin e kartonëve apo edhe kornerëve.

“Por, Osmani, ka thënë se gjyqtarët pikësëpari duhet ta ruajnë integritetin e tyre dhe më pas edhe integritetin e garave duke qenë të guximshëm dhe duke mos u bërë pjesë e këtyre manipulimeve”, vazhdon njoftimin e FFK-së.

Ligjërata të tilla Zyra për Integritet të Garave në FFK ka mbajtur edhe me klubet si dhe me delegatët e ndeshjeve.