Gjykata e fton Agim Ademin të shkojë në burg

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë urdhëresë për mbajtjen e dënimit me burgim efektiv prej 9 muajve.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka konfirmuar për KALLXO.com, se më 26 maj të këtij viti ka lëshuar urdhëresë për Agim Ademin që deri më 18 qershor të lajmërohet për mbajtjen e dënimit.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë  më datë 26.05.2020 ka lëshuar Urdhëresë për të dënuarin A.A, që i njëjti me datë 18.06.2020, të lajmërohet në Institucionin për mbajtjen e dënimit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore për KALLXO.com.

Gjykata Themelore ka thënë Agim Ademi nuk ka bërë kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.

“Lidhur me këtë urdhëresë gjykata deri më tani nuk ka pranuar kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelorë në Prishtinë.

KALLXO.com, e ka pyetur kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, se çfarë do të veproj tani, por ai ka thënë ende nuk e ka marrë e ka pranuar vendimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Pa e marrë vendimin nuk kam ndonjë komenti. Nuk kam marrë jo”, ka thënë Agim Ademi për KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e cila i kishte shpallur fajtor Agim Ademin dhe Muhamet Ramën.

Gjykata e Prishtinës i kishte dënuar të akuzuarit për vepër penale të detyrimit në tentativë, duke i shqiptuar Agim Ademit dënim me burgim prej 9 muajve, ndërsa M.R. dënim në burgim në kohëzgjatje prej 1 viti.

VIDEO – Momenti kur kryetari i FFK-së dënohet me burgim