Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Futbollisti i Hajduk Split i thotë 'Po' Kosovës

Futbollisti që luan për Hajduk Split i Kroacisë, Emir Sahiti i ka thënë “Po” kombëtares së Kosovës në futboll.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Futbollisti i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti ka vendosur që t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Ai, pas takimit të sotëm me presidentin Agim Ademi, e ka nënshkruar shkresën nëpërmjet të cilës do t’i kompletohet dokumentacioni i nevojshëm për t’u paraqitur në fanellën e Dardanëve” thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sahiti luan në pozicionin e sulmuesit dhe këtë sezon për Hajduk Split nga 18 ndeshjeve të zhvilluara ka arritur që të shënojë 2 gola dhe të dhurojë 2 asistime.

Më herët Sahiti kishte luajtur për shpresat e Kombëtares së Shqipërisë.

Edhe vetë lojtari është shprehur i lumtur që do ta përfaqësojë Kosovën.

“Emir Sahiti u shpreh i lumtur që po i jepet mundësia që ta japë kontributin e tij për Kombëtaren e Kosovës, teksa theksoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe të japë maksimumin qoftë në fanellën e klubit të tij, e në të ardhmen edhe në fanellën e Dardanëve”, thuhet tutje në njoftim.