Fundjava e futbollistëve shqiptarë në Evropë: Debutime, asistime dhe gola

Fundjava që lamë pas ishte mjaft produktive për futbollistët shqiptarë nëpër Evropë, ku pati debutime, asistime dhe gola të shënuar.

Edon Zhegrova debutoi me Lille dje përballë PSG-së në kuadër të Ligës Franceze. Zhegrova luajti në minutat e fundit të ndeshjes dhe për pak minuta zhvilloi një paraqitje të mirë.

Vedat Muriçi zhvilloi ndeshjen e dytë me fanellën e Mallorcas. Ai bëri super paraqitje pasi që pos një penalltie të fituar që u shndërrua në gol, ai arriti që të shënonte edhe gol pikërisht nga një penallti tjetër të fituar gjatë lojës. Goli i tij ishte vendimtar pasi që ekipi i tij fitoi me rezultat 2 me 1.

Elbasan Rashani shënoi golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij Clermont që fitoi me rezultat 1 me 0 përballë Nice.

Milot Rashica që luan për Norwich në Angli, zhvilloi 82 minuta lojë në fitoren ndaj Wolverhamptonit në kuadër të Kupës së Anglisë (FA Cup).

Myrto Uzuni, i cili ndryshoi skuadër, duke kaluar nga Ferencvaroshi tek ekipi i Granadës në La Liga, ka debutuar mbrëmjen e kaluar në ndeshjen ndaj Realit të Madridit. Sulmuesi kuqezi e nisi ndeshjen që nga minuta e parë dhe luajti për 80 minuta.

Futbollisiti i Empolit, Kristjan Asllanin u aktivizua për 90 minuta në ndeshjen ndaj Bolonjës. Edhe Nedim Bajrami pati paraqitje kundër Bolonjës duke u aktivizuar që nga minutat e para.

Aramando Broja zhvilloi paraqitjen e radhës për Southampton, ku asistoi në golin e fitores që ekipi i tij e arriti përballë Coventry City në kuadër të Kupës së Anglisë.