Franca 'harron' ta lëshojë himnin e Shqipërisë

 Para çdo ndeshje të futbollit është rregull që dëgjohen himnet kombëtare të dy ekipeve që përballen në fushë.
Por kjo nuk ka ndodhur në fillimin e lojës Francë – Shqipëri, e cila është e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.
Pasi lojtarët dolën në fushë u intonua himni kombëtar i ekipit kombëtar vendas të Francës.
Pas tij është dashur të fillojë himni kombëtar i Shqipërisë por në sfond u dëgjua një këngë tjetër.
Ndeshja ishte paraparë të fillojë në 20:45 por ajo nuk filloi derisa u dëgjua himni i Shqipërisë. Pas 5 minutave pritje, lojtarët përsëri u rreshtuan pranë njëri tjetrit me dorë në zemër për të dëgjuar himnin kombëtar të Shqipërisë.
Shqipëria gjendet në grupin H. Këtë grup e kryeson Franca me 12 pikë.
Ndërsa Shqipëria radhitet e katërta me 6 pikë. Arritja historike e Shqipërisë ka qenë kualifikimi i saj në Euro 2016 që ishte zhvilluar në Francë.