Formula 1 - Çmimi i madh i Bahrein - fitore e dyfishtë e Ferrarit

Charles Leclerc mori një fitore brilante për Ferrarin në fillimin e sezonit në Bahrein GP, ​​ndërkohë që asnjëri prej pilotëve të Red Bull nuk arritën të ngjiten në podium, teksa një epokë e re e Formula 1 filloi me një start pulsues në shkretëtirë.

Leclerc dhe Max Verstappen garuan “fyt për fyt” për pjesën më të madhe të garës së parë të vitit dhe patën beteja të shumta emocionuese përpara se vetura e sigurisë  t’i paraprinte dramës së fundit, agonisë për Red Bull dhe gëzimit për Ferrarin.

Verstappen, kampioni në fuqi i botës që garonte i dyti, pas LeClerc, e përfundoi garën e tij me një dështim të bolidit të tij me vetëm tri xhiro të mbetura, duke ia hapur derën Carlos Sainz që ta vulosë një fitore të dyfishtë të Ferrarit.

Ishte fitorja e parë e Ferrarit që nga viti 2019, duke i dhënë fund ‘agjërimit’ të dytë më të gjatë në historinë e tyre pa ndonjë fitore në një fillim të shpejtë për gjigantët e F1 pas rishikimit të rregullave.

Sikur të mos mjaftonin problemet e Red Bull me bolidin e Verstappen i cili u detyrua të heqë dorë nga gara, ishte piloti tjetër i kësaj skuadre Sergio Perez, për të cilin Red Bull konfirmoi se kishte gjithashtu një problem me pompën e karburantit, teksa po garonte kundër Lewis Hamilton në një betejë për pozitën e tretë në xhiron e fundit.

Perez gjithashtu nuk e përfundoi garën.

Ky dështim nga Red Bull ishte i mirë se ardhur për Mercedesin, pasi George Russell përfundoi i katërti në fund të një gare ku kampionët botërorë të sportit ishin shumë më të ngadaltë se rivalët e tyre.

Por kjo, pa dyshim, ishte dita e Ferrarit.

Leclerc i ruajti nervat e tij gjatë gjithë kohës, madje edhe gjatë ballafaqimeve epike me Verstappen në tri xhiro radhazi pas ndalesave të hershme në pit-stop, ku ai u kalua dy herë në kthesën 1 përpara se ta rikthente pozicionin e tij menjëherë më pas.

“Është e pabesueshme të rikthehesh në krye”, deklaroi Leclerc pas garës.

“Ferrari është kthyer dhe është kthyer siç duhet”, shtoi Sainz.

Kevin Magnussen ia doli të dale i pesti për skuderinë Haas, makinën më të ngadaltë të F1 vitin e kaluar, në kthimin e tij në këtë sport, përpara Valtteri Bottas, i cili në mënyrë të ngjashme shkëlqeu kundër gjasave në një Alfa Romeo me motor Ferrari.

Dyshja e pilotëve të Alpine Esteban Ocon dhe Fernando Alonso, u renditën i shtati, respektivisht i teti.

Piloti i ri, partneri i Bottas-it, Zhou Guanyu ndërkohë shijoi një debutim me pikë pasi u ngjit në vendin e 10-të për shkak të problemeve të vona të Red Bull.