Florian Kamberi tregon se pse e zgjodhi Shqipërinë para Kosovës

Sulmuesi i skuadrës skoceze Hibernian, Florian Kamberi, bëri të ditur para disa ditëve se kishte vendosur që ta përfaqësonte Kombëtaren e Shqipërisë.

Kamberi ka marrë ftesë nga trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, për dy ndeshjet e fundit eliminatore për “Euro 2020”, ndaj Andorrës dhe Francës.

Sulmuesi i Hibernianit, ka treguar se përse e ka zgjedhur Shqipërinë.

“Kam pasur kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën, por kuqezinjtë janë treguar më të interesuar dhe e kam pasur të lehtë që të zgjedh ata. Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe seancat stërvitore kanë shkuar vërtetë mirë. Kuptohem mirë me të gjithë dhe më kanë qëndruar pranë e mbajtur afë”, ka treguar fillimisht Kamberi në një konferencë për media.

Floriani ka treguar se si qëndron e vërteta e kontakteve të tij me Kosovën dhe Zvicrën.

 

“Unë e pata sqaruar që në fillim, se pikë së pari dua që të stabilizohem në një klub dhe pastaj do zgjedh, ndonëse isha i hapur për të tre opsionet. Pasi kalova një vit te Hibernian, pashë që Shqipëria u interesua më shumë dhe vendosa të zgjedh kuqezinjtë”, ka treguar ai.