Foto: FFK

Florent Muslija bëhet me pasaportë të Kosovës, i gatshëm për ndeshjet e radhës

Anëtari më i ri i Kombëtares së Kosovës, Florent Muslija tashmë ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme në Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe gjatë kësaj jave do të pajiset me pasaportë të Kosovës.

Kështu që ai do të jetë i gatshëm për ndeshjet e radhës që Kosova do t’i luajë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi falënderoi ambasadorin Beqë Cufaj, stafin e Ambasadës, Ministrinë e Brendshme dhe të gjitha institucionet tjera që në raste të këtilla kanë konsideratë dhe i përshpejtojnë procedurat për marrje të nënshtetësisë për futbollistët që veshin fanellën e Kosovës.

Florent Muslija është pjesë e “Hannover 96”, që sipas FFK-së do të jetë një armë më shumë për përzgjedhësin Bernard Challandes në misionin për ta bërë ëndrrën realitet – kualifikimin në Euro 2020.