Flet Agim Ademi: Më sulmuan, por nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është deklaruar pas raportimit se ai sot gjatë ditës është sulmuar fizikisht nga disa persona.

Ademi ka thënë se është mirë me shëndet dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim serioz.

‘’Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua të ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar’’, ka thënë Ademi.

Ai po ashtu ka informuar se është sulmuar fizikisht sot në mëngjes në parkun e Gërmisë.

‘’Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë. Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinëzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze’’, ka shtuar tutje Ademi.

Ai ka kërkuar që personat e tillë shumë shpejtë të dalin para organeve të drejtësisë.

‘’Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar’’ ka shtuar në fund Ademi.

Sulmohet fizikisht kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës