Flamurtari e Prishtina në ndeshjen e 28 vjetorit përfundon pa fitues

Çdo shtator futbollistët e gjeneratës së sakrificës dhe krenarisë të Flamurtarit dhe Prishtinës kthehen në stadiumin e Flamurtarit në kryeqytet për të shënuar përvjetorin e zhvillimit të ndeshjes së parë të pavarësimit të futbollit të Kosovës.

Ashtu sikurse më 13 shtator të vitit 1991, edhe sot në fushën e gjelbër të këtij stadiumi zbritën veteranët e Flamurtarit dhe Prishtinës, sikurse edhe gjyqtarët të cilët para 28 vjetësh kishin gjykuar ndeshjen e parë të futbollit të pavarur të Kosovës.

Të pranishëm ishin edhe ish-kryetari i FFK-së në atë periudhë Agim Bytyçi, i cili edhe e nisi topin nga qendra, pastaj presidenti i FFK-së Agim Ademi, ish-sekretari i atëhershëm i FFK-së, Sejdi Mërkoja dhe shumë ish-futbollistë e zyrtarë të asaj kohe në futbollin e Kosovës.

Ndeshja u zhvillua dy herë nga 20 minuta dhe pas një loje interesante dhe si gjithmonë rivalizuese ndërmjet këtyre dy skuadrave, në fund rezultati ishte i barabartë 2:2.

Pas ndeshjes u organizua edhe një koktej rasti kur të pranishmit evokuan kujtime nga e kaluara dhe e tashmja e futbollit e Kosovës.

Ndërkohë, në një fjalë rasti, presidenti Agim Ademi vlerësoi lart kontributin e gjeneratave të vjetra.

“falë sakrificës suaj kemi arritur këtu ku jemi sot, ku djemtë e Kombëtares po na bëjnë krenarë të gjithëve me lojë e me rezultate”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Presidenti Ademi po ashtu bëri të ditur se shumë shpejtë FFK do të botojë një libër.

“Futbolli nëpër kohë për t’iu treguar gjeneratave të reja, por edhe opinionit botëror për sakrificën e madhe që kanë bërë ndër vite shumë gjenerata të futbollit të Kosovës deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA”, përundoi Ademi.