Foto: KOK.

Fitoi medalje në kampionatin botëror, shpërblehet boksierja Donjeta Sadiku

Boksierja Donjeta Sadiku dhe trajneria Marjola Sallauka kanë pranuar sot shpërblimin për suksesin e arritur në Kampionatin Botërorë të Boksit për vajza që u mbajt në Turqi.

Shpërblimi Sadikut i është dorëzuar nga ministri Hajrulla Çeku, gjatë një ceremonie të organizuar në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Donjeta Sadiku fitoi medaljen e bronztë (60 kg) në Kampionatin Botëror të Boksit për vajza -2022.

Për suksesin e arritur, boksierja Sadiku është shpërblyer me 14 mijë euro, kurse 7 mijë euro i janë ndarë për trajneren e saj, Marjola Sallauka. Shpërblimet janë dhënë në bazë të rregullores për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate të marrin medalje në garat ndërkombëtare.

Suksesin e arritur nga Sadiku, ministri Çeku e ka quajtur të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

“Vajzat e Kosovës po na bëjnë që ne me u mburrë në gjithë botën dhe që flamuri i Kosovës vazhdon me u ngrit ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare”, potencoi ndër të tjerash ministri Çeku.

Ndërsa, Sadiku tha gjatë ceremonisë së synimi i saj është të sjellë medalje olimpike.

“Qëllimi im kryesor është cikli olimpik ‘Paris 2024’, ku synoj të kualifikohem dhe të sjell medalje olimpike, ashtu siç ka edhe xhudo”, tha Sadiku.

Kurse Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se sukseset që po arrijnë sportistë në gara ndërkombëtar janë edhe falë ndihmë se MKRS-së.

“Donjetën e kemi edhe bursiste olimpike për Paris 2024, andaj besojmë do të na bëjë krenar edhe në Lojërat Olimpike 2024”, tha ia.

Ndërkaq, kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi  tha se me suksesin e Donjeta Sadikut, po kthehet tradita e suksesit të boksit kosovar.