FHK-ja organizon turneun kualifikues te hendbollisteve në Kosovë

Federata e Hendbollit e Kosovës do ta organizojë turneun e grupit të parë të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”, në konkurrencën e vajzave.

Këtë lajm e ka bërë të ditur FHK-ja.

Ky turne ishte paraparë të mbahej në Portugali, por FHK-ja ia ka dalë që të fitojë të drejtën e organizimit të këtij turneu.

Turneu do të mbahet në fillim të  qershorit, pjesëmarrës do të jenë Kosova, Portugalia, Qipro dhe Luksemburgu.

Ndeshjet luhen më 3, 4 e 5 qershor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Në ditën e parë, Kosova takohet me Qipron, ndërsa Portugalia me Luksemburgun. Në ditën e dytë janë ndeshjet Luksemburgu – Kosova dhe Qipro – Portugalia, ndërsa në ditën e tretë luhen takimet Luksemburgu – Qipro, Portugalia – Kosova.

“Organizimi i ndeshjeve në Kosovë është sukses i madh për Federatën tonë. Gjasat për sukses i kemi më të mëdha dhe synim mbetet vendi i parë në grup për avancim tutje. Në përfaqësuese ka optimizëm për sukses, sidomos pas sinjaleve të mira në ndeshjet në Austri. Deri në fillim të qershorit Kombëtarja pritet të kompletohet me disa lojtare që kanë munguar në ndeshjet e muajit të kaluar në Austri”, ka njoftuar FHK-ja.

Nëse Kosova del si fituese e këtij grupi, në fazën kryesore kualifikuese do të jetë në grup me Spanjën, Hungarinë dhe Sllovakinë.