FFK: Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Lincoln duhej të zhvillohej

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një komunikate për media ka reaguar pas anulimit të ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Lincoln, në kuadër të fazës parakualifikuese në Europa Legaue.

Ndeshja u anulua për shkak se 8 futbollistë të FC Prishtinës dolën pozitiv me COVID-19.

FFK-ja ka konisderuar se ndeshja është dashur të luhet dhe thotë se i qëndron përkrah klubit të Prishtinës.

“Ne, si federatë dhe klubet tona jemi në situatë të palakmueshme, duke pasur parasysh faktin se UEFA nuk e ka licencuar asnjë laborator për kryerjen e testeve për Covid-19 në Kosovë, teksa në vendet fqinje ku janë të licencuar laboratorët e tillë nuk është e mundshme lëvizja për shkak të mbylljes së kufijve”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Po ashtu, FFK-ja thotë se është e çuditshme se si rezultuar futbollistët pozitiv, kur para nisjes për në Gjibraltar ata në testet e kryera nga IKShPK-ja kishin rezultuar negativ.

“FFK shpreson që kësaj radhe organet e UEFA-s do të jenë më vigjilente dhe do ta kenë parasysh situatën në të cilën ndodhemi në pandemi dhe në fund do të marrin vendim të merituar, duke pasur parasysh se FC “Prishtina” ishte pro zhvillimit të ndeshjes dhe kishte numër të mjaftueshëm të futbollistëve të gatshëm për lojë”, thuhet në fund të reagimit.