FFK-ja takohet me përfaqësuesit e klubeve të Superligës, diskutohet vazhdimi i sezonit

Federata e Futbollit e Kosovës sot ka mbajtur takim me përfaqësuesit e 12 klubeve të Superligës së Kosovës në futboll.

FFK-ja ka njoftuar se në këtë takim është biseduar për planet e rifillimit në garave në Superligë.

“Temë e parë e këtij takimi ishte mundësia e rifillimit të garave, ku sekretari i përgjithshëm i njoftoi klubet se presidenti Ademi është në takimin e përbashkët të federatave me ministren Dumoshi dhe se tashmë FFK-ja iu ka drejtuar me shkresë të gjitha institucioneve që klubeve t’u mundësohet kthimi në stërvitje në mesin e këtij muaji si dhe zhvillimi i dy ndeshjeve gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës më 24 maj dhe rifillimi i kampionatit më 1 qershor, pasi afatet e parapara për rikthimin e aktiviteteve sportive me masat lehtësuese nga Ministria e Shëndetësisë nuk i mundësojnë FFK-së përfundimin e garave në afatet e parapara të UEFA-s. Sa i përket kësaj çështje përfaqësuesit e të gjitha klubeve ishin unik dhe të pajtimit që nëse pranohen afatet e  FFK-së të rifillohet me gara, përndryshe nuk do të ketë mundësi të vazhdimit të kampionatit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu FFK-ja ka njoftuar se iu është sqaruar klubeve edhe për fondet e ndara nga UEFA e FIFA.

“Më tej është biseduar rreth fondeve nga UEFA e FIFA, ku nënkryetari Dibrani dhe sekretari i përgjithshëm Salihu ua kanë sqaruar klubeve se këto fonde janë të përvitshme për projektet e federatave, por këtë herë UEFA ka vendosur që t’ua alokojë këto mjete më herët si pasojë e pandemisë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas masave lehtësuese aktivitetet sportive mund të rikthehen me 1 qershor, kjo nënkupton se klubet mund t’i rifillojnë stërvitjet me 1 qershor e jo me ndeshje, por FFK-ja, ka kërkuar që ndeshjet të nisin me 24 maj me ndeshjet e Kupës së Kosovës.